A ËSHTË PROJEKTUAR?
Fluturimi i farës së luleradhiqes
Farat e luleradhiqes janë ndër fluturueset më fantastike që mund të gjesh në natyrë. Kur fryn erë, dhjetëra fara luleradhiqesh fluturojnë në ajër. Ato duken si parashuta të vogla. Edhe pse fluturimin e nisin shumë afër tokës, disa prej tyre shkojnë një kilometër larg a më shumë. Çfarë i ndihmon të fluturojnë për kaq gjatë? Shkencëtarët kanë zbuluar se mënyra si fluturojnë këto fara, është katër herë më e efektshme dhe më e qëndrueshme se mënyra si fluturojnë parashutat.
Shqyrto faktet: Çdo farë lidhet me kërcellin me anë të disa fijeve shumë të holla, që ngjajnë si fije floku. Këto fije luajnë rolin e parashutës dhe i ndihmojnë farat të fluturojnë.
Por, këto fije të holla bëjnë edhe diçka tjetër. Kur era përshkon këto fije, mbi to formohet një vorbull e vogël ajri. Ngaqë ajri qarkullon në mënyrë rrethore, trysnia në këtë zonë ulet. Si pasojë, farat e vogla shkojnë lart dhe nuk bien në tokë.
Me pak fjalë, këto fije të holla formojnë një lloj parashute tejet të efektshme dhe të qëndrueshme, që e lejon ajrin të depërtojë. Për më tepër, 90 për qind e saj është hapësirë boshe. Pra, përdor shumë pak material për të formuar gjithë këtë strukturë.
Shkencëtarët po përpiqen të imitojnë mënyrën si fluturon fara e luleradhiqes. Ata duan ta aplikojnë te dronët e vegjël, që të përdorin më pak ose aspak energji shtesë. Këta dronë mund të përdoren në shumë mënyra, për shembull për të matur ndotjen e ajrit.
Shih si fluturon fara e luleradhiqes
Si mendon? A erdhi me evolucion mënyra tejet e efektshme si fluturon fara e luleradhiqes? Apo është projektuar?