Kalo te përmbajtja

A ËSHTË PROJEKTUAR?

Mekanizmi pastrues i antenave të milingonës së drurit

Mekanizmi pastrues i antenave të milingonës së drurit

 Pastërtia është jetësore për një insekt që të fluturojë, të kacavaret dhe të perceptojë mjedisin rrethues. Për shembull, antenat e pista e ulin aftësinë e milingonës për t’u orientuar, për të komunikuar dhe për të gjurmuar aromat. Zoologu Aleksandër Hakman thotë se «është e pamundur të gjesh insekte të pista. Ato e kanë gjetur zgjidhjen për sipërfaqet e ndotura.»

 Shqyrto faktet: Hakmani dhe kolegët e tij kanë studiuar mekanizmin që përdor një lloj milingone druri (Camponotus rufifemur) për të pastruar antenat. Ata zbuluan se, për të hequr grimcat e përmasave të ndryshme nga antenat, milingona e mbledh këmbën si pincë dhe i kalon antenat nëpër të. Fijet e ashpra të kësaj pince heqin grimcat e mëdha. Një krehër i imët, me hapësira mes dhëmbëzave sa qimet e antenave të milingonës, pastron grimcat më të vogla. Ndërsa një furçë me fije akoma më të imëta heq grimcat e vogla fare, që janë sa 1/​80 e diametrit të fijes së flokut të njeriut.

 Shih një milingonë druri teksa pastron antenat e saj

 Hakmani dhe skuadra e tij besojnë se mekanizmi që përdor milingona për t’i mbajtur të pastra antenat mund të gjejë përdorim në industri. Për shembull, një mekanizëm i ngjashëm do të ndihmonte në ruajtjen e pastërtisë gjatë prodhimit të komponentëve mikroelektronikë dhe të gjysëmpërçuesve, ku edhe ndotja më e vogël mund të shkaktojë defekte.

 Si mendon? A erdhi me evolucion mekanizmi pastrues i antenave të milingonës së drurit apo është projektuar?