Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Gjoni 3:16​—«Perëndia aq shumë e deshi botën»

Gjoni 3:16​—«Perëndia aq shumë e deshi botën»

 «Sepse Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»—Gjoni 3:16, Përkthimi Bota e Re.

 «Po, Perëndia aq shumë e deshi botën, saqë dha Birin e tij të dashur, që të mos humbasë kushdo që beson në të, por të ketë jetën e përjetshme.»—Gjoni 3:16, Bibla ECM.

Kuptimi i Gjonit 3:16

 Perëndia na do dhe dëshiron që të jetojmë përgjithmonë. Për këtë arsye dërgoi në tokë Birin e tij, Jezu Krishtin. Kur ishte në tokë, Jezui bëri shumë gjëra. Për shembull, i mësoi dishepujt për Perëndinë dhe Atin e tij. (1 Pjetrit 1:3) Gjithashtu dha jetën për njerëzimin. Që të marrim jetën e përhershme, duhet të kemi besim te Jezui.

 Shprehja «dha Birin e tij të vetëmlindur» a tregon sa e thellë është dashuria e Perëndisë për njerëzit. Jezui ishte Biri i Perëndisë në një kuptim të veçantë. Pse e themi këtë? Vetëm Jezui është krijuar drejtpërdrejt nga Perëndia. (Kolosianëve 1:17) Ai është «i parëlinduri i gjithë krijimit». (Kolosianëve 1:15) Gjithë pjesa tjetër e krijimit, përfshirë engjëjt, erdhën në ekzistencë nëpërmjet Jezuit. Prapëseprapë, Perëndia Jehova b ishte i gatshëm të dërgonte Birin e tij të shtrenjtë ‘që të shërbente dhe të jepte jetën e vet si shpërblesë për shumë njerëz’. (Mateu 20:28) Jezui vuajti dhe vdiq që të na çlironte nga mëkati e vdekja, të cilat i kemi trashëguar nga njeriu i parë, Adami.​—Romakëve 5:8, 12.

 Të tregosh besim te Jezui përfshin më tepër se të besosh tek ai ose të pranosh atë që ka bërë për ne. Besimin te Biri i Perëndisë e tregojmë duke iu bindur dhe duke ndjekur gjurmët e tij, pra duke e imituar. (Mateu 7:24-27; 1 Pjetrit 2:21) Bibla thotë: «Ai që tregon besim te Biri, ka jetë të përhershme, kurse ai që nuk i bindet Birit, nuk do të shohë jetë.»—Gjoni 3:36.

Konteksti i Gjonit 3:16

 Jezui i tha këto fjalë ndërsa po bisedonte me Nikodemin, një udhëheqës fetar jude. (Gjoni 3:1, 2) Gjatë asaj bisede, Jezui shpjegoi çfarë do të thotë ‘të lindësh përsëri’ dhe foli për Mbretërinë e Perëndisë c. (Gjoni 3:3) Ai paratha edhe si do të vdiste. «Do ta ngrenë [do ta varin në shtyllë] . . . Birin e njeriut, që kushdo që beson tek ai, të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:14, 15) Pastaj theksoi se mundësia për të jetuar përgjithmonë sigurohej vetëm falë dashurisë së madhe të Perëndisë për njerëzimin. Në fund, Jezui shpjegoi se, për të marrë jetën e përhershme, duhet të tregojmë besim dhe të bëjmë gjëra që i pëlqejnë Perëndisë.—Gjoni 3:17-21.

a Fjala greke e përkthyer «i vetëmlindur» është monogenes, që është përkufizuar si «një dhe i vetmi, . . . i vetmi në llojin e vet, unik (në lloj)».—A Greek-English Lexicon of the New Testament and Other Early Christian Literature, f. 658.

b Jehova është emri i Perëndisë.—Psalmi 83:18.

c Mbretëria e Perëndisë, që quhet ndryshe edhe «Mbretëria e qiejve», është një qeveri qiellore. (Mateu 10:7; Zbulesa 11:15) Perëndia e caktoi Krishtin si Mbret të kësaj Mbretërie. Mbretëria e Perëndisë do të plotësojë qëllimin që ka Ai për tokën. (Danieli 2:44; Mateu 6:10) Për më shumë informacion, shih artikullin «Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?»