SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS
Isaia 40:31—«Ata që shpresojnë te Jehovai, do të rimarrin fuqi»
«Por ata që shpresojnë te Jehovai, do të rimarrin fuqi. Do të fluturojnë lart si me krahët e shqiponjës, do të vrapojnë e s’do të rraskapiten, do të ecin e s’do të lodhen.»—Isaia 40:31, Përkthimi Bota e Re.
«Por ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur.»—Isaia 40:31, Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar.
Kuptimi i Isaisë 40:31
Perëndia Jehova a i siguron adhuruesit e tij se do t’u japë forcën e domosdoshme që të përballojnë çfarëdolloj problemi që mund të hasin.
«Ata që shpresojnë te Jehovai, do të rimarrin fuqi.» Ata që shpresojnë ose, kanë besim, tek aftësia dhe gatishmëria e Perëndisë për të ndihmuar popullin e tij, mund të jenë të sigurt se ai do t’i mbështetë. (Proverbat 3:5, 6) Një mënyrë si u jep fuqi Perëndia atyre që e adhurojnë, është nëpërmjet frymës së tij të shenjtë, ose forcës aktive.—Luka 11:13.
«Do të fluturojnë lart si me krahët e shqiponjës.» Me këtë përshkrim ilustrohet sa efekt ka fuqia e Zotit te njeriu. Një shqiponjë mbështetet te rrymat e ngrohta të ajrit, që quhen rryma termale, që të ngrihet fluturim e të qëndrojë në ajër. Me të lokalizuar rrymat termale, hap krahët, rrotullohet brenda tyre, kështu rrymat e ngrenë gjithnjë e më lart. Ndërsa lëvizin nga njëra rrymë në tjetrën, shqiponjat mund të qëndrojnë në ajër për orë me radhë, duke harxhuar fare pak energji ndërsa shkojnë te destinacioni.
«Do të vrapojnë e s’do të rraskapiten.» Problemet mund të na sfilitin fizikisht dhe emocionalisht, por mund të vazhdojmë para me fuqinë që na jep Perëndia. Ai mund të na japë forcën për të bërë atë që është e drejtë, pavarësisht nga vështirësitë e mëdha. Apostulli Pavël, që përballoi sprova serioze, shkroi: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.»—Filipianëve 4:13.
Konteksti i Isaisë 40:31
Zoti e frymëzoi profetin Isaia të shkruante këto fjalë në shekullin e 8-të p.e.s. Edhe pse ky shkrim vlen për të gjithë shërbëtorët besnikë të Perëndisë Jehova, Ai mund t’i ketë zgjedhur këto fjalë për t’u dhënë zemër judenjve që do t’i çonin në Babiloni për 70 vjet. Pas mërgimit, kur u kthyen në vendlindje, ata panë si u përmbushën fjalët e Perëndisë. (Isaia 40:1-3) Ai u dha fuqi të përballonin udhëtimin e vështirë b nga Babilonia në Jerusalem, në vitin 537 p.e.s.—Isaia 40:29.
a Jehova është emri i Perëndisë.—Psalmi 83:18.
b Rruga që bënë të mërguarit, ka mundësi të ketë qenë rreth 1.600 kilometra.