Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Mateu 11:28-30—«Ejani tek unë, . . . dhe unë do t’ju jap çlodhje»

Mateu 11:28-30—«Ejani tek unë, . . . dhe unë do t’ju jap çlodhje»

 «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, se jam me natyrë të butë e i përulur në zemër, dhe ju do të gjeni freskim për shpirtin, sepse zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.»—Mateu 11:28-30, Përkthimi Bota e Re.

 «Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!»—Mateu 11:28-30, Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar.

Kuptimi i Mateut 11:28-30

 Jezui i ftoi ngrohtësisht dëgjuesit që të vinin tek ai. I siguroi se mësimet e tij do t’u sillnin freskim dhe lehtësim.

 «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar.» Jezui ua bëri këtë ftesë të dashur atyre që ishin «të ngarkuar» nga rregullat dhe traditat njerëzore të imponuara nga krerët fetarë. (Mateu 23:4; Marku 7:7) Përveç kësaj, njerëzit e thjeshtë ishin të ngarkuar nga ankthi dhe të robtuar, pasi u duhej të punonin fort e me orë të zgjatura vetëm që të fitonin bukën e gojës.

 «Unë do t’ju freskoj.» Jezui u premtoi lehtësim, ose çlodhje, të gjithë atyre që pranonin ftesën e tij të dashur. E bëri këtë duke i ndihmuar të kuptonin se çfarë priste vërtet Perëndia prej tyre. (Mateu 7:24, 25) Kjo njohuri i çliroi nga skllavëria e ideve të rreme dhe e traditave fetare shtypëse. (Gjoni 8:31, 32) Megjithëse duheshin përpjekje që të mësoje dhe të zbatoje mësimet e Jezuit, kjo sillte freskim.

 «Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë.» Në kohët e lashta, shpesh punëtorët përdornin një zgjedhë, pra një shufër druri që vendosej mbi shpatulla, që të mbanin ngarkesa të rënda. Ja pse fjala «zgjedhë» përcillte idenë e nënshtrimit ndaj drejtimit dhe ndaj autoritetit të dikujt tjetër. (Levitiku 26:13; Isaia 14:25; Jeremia 28:4) Shprehja «mësoni nga unë» mund të përkthehet edhe «bëhuni dishepujt (nxënësit) e mi». Pra, Jezui po i nxiste dëgjuesit që të bëheshin dishepujt e tij duke e ndjekur dhe duke e imituar.—Gjoni 13:13-15; 1 Pjetrit 2:21.

 «Ju do të gjeni freskim për shpirtin.» Jezui nuk u premtoi dëgjuesve se do t’ua zgjidhte problemet sa hap e mbyll sytë. Ama i ndihmoi të gjenin ngushëllim e shpresë. (Mateu 6:25-32; 10:29-31) Ata që u bënë dishepuj të Jezuit dhe pranuan mësimet e tij, kuptuan se t’i shërbeje Zotit nuk ishte barrë, por sillte kënaqësi të vërtetë.—1 Gjonit 5:3.

 «Sepse zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.» Ndryshe nga krerët fetarë të kohës së tij, Jezui ishte i përulur dhe i butë. (Gjoni 7:47-49) Ai s’ishte kurrë i ashpër ose tepër kërkues, përkundrazi ishte i dashur dhe i afrueshëm. Ishte i arsyeshëm në atë që priste nga dishepujt e vet. (Mateu 7:12; Marku 6:34; Luka 9:11) Ai u tregoi si mund të nxirrnin dobi nga mëshira e Perëndisë dhe të shijonin lehtësimin që vjen nga një ndërgjegje e pastër. (Mateu 5:23, 24; 6:14) Cilësitë tërheqëse të Jezuit jo vetëm i afruan njerëzit me të, por edhe i nxitën të pranonin zgjedhën e tij të këndshme dhe të bëheshin dishepuj të tij.

Konteksti i Mateut 11:28-30

 Fjalët që gjejmë te Mateu 11:28-30, Jezui i tha ndërsa ishte në një fushatë predikimi në Galile, në vitin 31 të e.s. Apostulli Mate ishte i vetmi nga shkrimtarët e Ungjijve që e dokumentoi këtë ftesë të përzemërt të Jezuit. Ai kishte qenë taksambledhës dhe ishte jude, ndaj e kishte parë vetë sa të shtypur ndiheshin njerëzit e thjeshtë jo vetëm nga taksat romake, por edhe nga sistemi fetar judaik i korruptuar. Prandaj, pa diskutim mori zemër tek pa Jezuin që e përdori autoritetin që i kishte dhënë Ati, Jehovai, a për t’i ftuar njerëzit e përulur dhe të keqtrajtuar të vinin tek ai.—Mateu 11:25-27.

 Ungjilli i Mateut nxjerr në pah cilësitë e shkëlqyera të Jezuit si Mesia i premtuar dhe si Mbreti i ardhshëm i Mbretërisë së Perëndisë.—Mateu 1:20-23; Isaia 11:1-5.

 Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të Mateut.

a Jehova është emri i Perëndisë. (Psalmi 83:18) Lexo artikullin «Kush është Jehovai?»