SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS
Proverbat 17:17—«Miku të do në çdo kohë»
«Miku i vërtetë të do në çdo kohë dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.»—Proverbat 17:17, Përkthimi Bota e Re.
«Miku të do në çdo kohë, por vëllai lind për ditë të vështira.»—Proverbat 17:17, Diodati i Ri—Përkthimi 1991-94.
Kuptimi i Proverbave 17:17
Miqtë e vërtetë janë të besueshëm dhe të gjenden gjithnjë pranë. Njësoj si motrat e vëllezërit prej gjaku që janë shumë të lidhur, edhe këta miq janë besnikë dhe kujdesen gjithmonë për njëri-tjetrin, sidomos në kohë të vështira.
«Miku i vërtetë të do në çdo kohë.» Kjo shprehje mund të përkthehet edhe «miqtë e shfaqin gjithmonë dashurinë». Fjala hebraike që është përkthyer «të do» në këtë varg, përfshin më tepër sesa thjesht të provosh një ndjenjë për dikë. Ajo i referohet dashurisë altruiste që tregohet me anë të veprave. (1 Korintasve 13:4-7) Miqtë që i bashkon kjo lloj dashurie, i qëndrojnë përkrah njëri-tjetrit edhe kur marrëdhënia e tyre vihet në provë, mbase nga keqkuptimet ose nga vështirësitë e jetës. Gjithashtu, ata e falin bujarisht njëri-tjetrin. (Proverbat 10:12) Veç kësaj, nuk bëhen ziliqarë kur tjetrit i shkojnë gjërat mirë. Përkundrazi, gëzojnë për mikun e tyre.—Romakëve 12:15.
«Miku i vërtetë . . . të bëhet vëlla në ditë të vështira.» Ky proverb bazohet te fakti që lidhja mes motrave e vëllezërve prej gjaku zakonisht është shumë e veçantë. Prandaj kur bëjmë gjithçka kemi në dorë për një mik që po kalon një situatë stresuese, po veprojmë siç do të vepronte një motër a vëlla i vërtetë. Për më tepër, sprovat nuk e dobësojnë lidhjen e miqve të tillë. Përkundrazi, ajo bëhet edhe më e fortë sepse dashuria dhe respekti reciprok shtohen në vështirësi.
Konteksti i Proverbave 17:17
Libri i Proverbave përmban mençuri të thellë në formën e thënieve të shkurtra, që e vënë në mendime lexuesin. Mbreti Solomon shkroi pjesën më të madhe të këtij libri të Biblës. Ai e shkroi me një stil karakteristik për poezinë hebraike, ku në vend të rimës, përdori paralelizmin poetik, i cili paraqet mendime të ngjashme që theksojnë njëri-tjetrin ose ide të kundërta që nxjerrin në pah kontrastin mes tyre. Proverbat 17:17 është një shembull i këtij paralelizmi poetik, ku pjesa e dytë e vargut shton informacione që theksojnë pjesën e parë të vargut. Ndërsa Proverbat 18:24 është një shembull i përdorimit të kontrasteve. «Ka shokë që janë gati ta bëjnë copë njëri-tjetrin, por ka një mik që të bëhet vëlla e shkuar vëllait.»
Kur shkroi Proverbat 17:17, Solomoni ndoshta kishte në mendje miqësinë e ngushtë të babait të tij, Davidit, me Jonatanin, një nga djemtë e mbretit Saul. (1 Samuelit 13:16; 18:1; 19:1-3; 20:30-34, 41, 42; 23:16-18) Edhe pse Davidi me Jonatanin nuk kishin lidhje gjaku, gëzonin një miqësi më të ngushtë se vëllezërit. Madje Jonatani rrezikoi edhe jetën për mikun e tij më të ri në moshë. a
Përkthime të tjera të Proverbave 17:17
«Kur je në rrezik, vëllai yt duhet të të ndihmojë; kurse miku do të të ndihmojë gjithmonë.»—Bibla ECM.
«Kush është mik ai do në çdo kohë dhe në ditë të ngushtë ai bëhet vëlla.»—Dom Simon Filipaj.
«Miku të do kurdo, po vëllaj lint për kohën’ e nevojësë.»—Përkthimi i Kristoforidhit.
Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të Proverbave.
a Shih artikullin «Lidhën miqësi të pathyeshme».