SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS
Zanafilla 1:26—«Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë»
«Pastaj Perëndia tha: ‘Le ta bëjmë njeriun sipas imazhit tonë, në ngjashmëri me ne, dhe ai le t’i mbajë të nënshtruar peshqit e detit, krijesat fluturuese të qiejve, kafshët e buta, gjithë tokën dhe çdo kafshë zvarritëse që lëviz në të.’»—Zanafilla 1:26, Përkthimi Bota e Re.
«Pastaj Perëndia tha: ‘Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe.’»—Zanafilla 1:26, Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar.
Kuptimi i Zanafillës 1:26
Njerëzit u krijuan sipas imazhit të Perëndisë, domethënë me aftësinë për të zhvilluar dhe për të shfaqur cilësi që ka Perëndia, si dashurinë, empatinë dhe drejtësinë. Kjo shpjegon arsyen pse njerëzit mund të imitojnë personalitetin e Zotit.
«Perëndia tha: ‘Le ta bëjmë njeriun sipas imazhit tonë.’» Para se të krijonte dikë ose diçka tjetër, Perëndia Jehova a krijoi një engjëll të fuqishëm që më vonë u njoh me emrin Jezu. Me anë të Jezuit «u krijua gjithçka tjetër në qiej e në tokë». (Kolosianëve 1:16) Jezui pasqyroi personalitetin e Jehovait—«ai është imazhi i Perëndisë së padukshëm». (Kolosianëve 1:15) Prandaj, me të drejtë, Perëndia i tha Jezuit: «Le ta bëjmë njeriun sipas imazhit tonë.»
«Le t’i mbajë të nënshtruar . . . kafshët e buta, gjithë tokën.» Kafshët nuk u krijuan sipas imazhit të Perëndisë. Ato nuk u projektuan të shfaqnin karakteristika tipike të njerëzve, siç është dashuria, e as kanë ndërgjegje. Prapëseprapë, Zoti kujdeset për mirëqenien e kafshëve. Prandaj tha se njerëzit duhej ‘t’i mbanin të nënshtruara’ kafshët, që do të thotë edhe ‘të jenë zotërues’ të tyre (Simon Filipaj) ose ‘të kenë pushtet’ mbi to (Bibla ECM). Jehovai po u besonte njerëzve përgjegjësinë që të kujdeseshin për kafshët. (Psalmi 8:6-8; Proverbat 12:10) Ai pret që njerëzit të kujdesen mirë për tokën dhe për të gjitha krijesat në të.
Konteksti i Zanafillës 1:26
Dy kapitujt hapës të Zanafillës bëjnë një përmbledhje të krijimit të universit, të planetit tonë dhe të jetës në tokë. Jehovai ka krijuar çdo gjë me mjeshtëri, por kryevepra e tij e krijimit në tokë janë njerëzit. Kur mbaroi punën krijuese në tokë, ai «pa çdo gjë që kishte bërë dhe ja, ishte shumë mirë».—Zanafilla 1:31.
Shih këtë video të shkurtër që të mësosh më shumë për tregimin e Zanafillës për krijimin.
Ide të gabuara për Zanafillën 1:26
Ide e gabuar: Vetëm burrat—jo gratë—kanë aftësinë të imitojnë ose të pasqyrojnë cilësitë e Perëndisë.
Fakt: Fjala anglisht «man» ka kuptimin «burrë» dhe «njeri». Në këtë varg, kjo fjalë në shumë përkthime të Biblës në anglisht mund t’u japë përshtypjen lexuesve se u referohet vetëm meshkujve. Megjithatë, në këtë kontekst, fjala origjinale hebraike u referohet të gjithë njerëzve, meshkujve dhe femrave. Si burrat, si gratë mund të pasqyrojnë cilësitë e Perëndisë. Të gjithë kanë mundësi të barabarta të fitojnë miratimin e tij dhe dhuratën e jetës së përhershme.—Gjoni 3:16.
Ide e gabuar: Zoti ka karakteristika fizike si tonat.
Fakt: «Perëndia është Frymë»—pra nuk jeton në universin fizik. (Gjoni 4:24) Edhe pse ndonjëherë Bibla flet për fytyrën, duart, zemrën e tij e të tjera, këto fjalë janë përshkrime të figurshme të Perëndisë, që ta njohim me terma njerëzorë që i kuptojmë.—Eksodi 15:6; 1 Pjetrit 3:12.
Ide e gabuar: Zanafilla 1:26 tregon se Jezui është Perëndi.
Fakt: Zoti dhe Jezui kanë një marrëdhënie të ngushtë atë e bir, por nuk janë i njëjti person. Jezui mësoi se Perëndia është më i lartë se ai. (Gjoni 14:28) Për më shumë informacion, shih videon A është Jezu Krishti Perëndia? ose lexo artikullin «Pse Jezui quhet Biri i Perëndisë?»
Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të Zanafillës.
a Jehova është emri i Perëndisë. (Psalmi 83:18) Lexo artikullin «Kush është Jehovai?»